debat

Debat quhet një diskutim (konstruktiv) mbi një temë, të përcaktuar paraprakisht, në të cilin marin pjesë persona që kanë mendime, ide apo opinione të ndryshme mbi të.

Ky është përkufizimi që gjeta sot në wikipedian franceze.

E mendova një herë ta vendosja në wikipedian shqiptare por e ndjej që vetëm një përkufizim është pak i varfër. Nuk është vetëm kjo arsyeja mendoj. Ose më saktë arësyeja e vërtetë është një mungesë e kulturës së debatit të vërejtur në formimin tim si shqiptare. E kaluara e lashtë patriarkale e shoqërisë sonë nxjerr kokën më shpesh se sa mendojmë, dhe edukimi në epokën socialiste nuk mund të them se përmirësoi situatën. Mendoj që filli i kuq i mësimeve tona ishte dhe ngelet më shumë gjetja e të vërtetës, fjalës së fundit, konkluzionit të padiskutueshëm. Pra nëse debati duhet të ftojë debatuesit të mbrojnë tezën e tyre me argumenta, debati jonë (po e përgjithësoj shpresoj të ketë debatues ta kundershtojnë) kërkon të gjej të vërtetën e pamohueshme dhe mbyllëse të debatit !

Sali Berisha më mësoi çdo të thotë debat dhe pranimin e tjetrit. Më saktë dikush tjetër, një njëri i respektuar për thellësinë e mendimit i cili gjente argumenta të mbronte personin e lartpërmëndur në atë vit të turbullt 1997 (historia tregoi se ishte ai që kishte të drejtë !)

Mendoj që një nga arsyet e krijimit të blogjeve, është pikërisht zhvillimi i një debati mbi tema që përcaktohen nga botuesi i blogut. Është e vërtetë që tendenca është që komentuesit të jenë dakort me atë që thotë autori. Pak gjej debatues. Dhe më e trishtueshme është kur tema që në vetvete na bëjnë të debatojmë në kokën tonë, diskutohen aq zjarrshëm sa gjejmë komente të hequra nga autori i tyre, thirrje për drejtësi nga dikush tjetër dhe në fund të fundit ndarje, kthim kurrizi dhe mungesë debati.

Pra ftoj komentues të debatojnë se mbase nuk kam të drejtë dhe sidomos ata që janë kundra me gjithshka që shkruaj, të shprehen. Sharjet të evitohen dhe mallkimet të mallkohen.